Natyra shqiptare është e bukur, jashtëzakonisht e bukur, shumë e brishtë, por edhe shumë krenare. Sa më shumë ta admirosh e ta studiosh, aq më shumë të josh me të papriturat e me larminë e saj. Më pëlqen të udhëtoj, më pëlqen deri në çmenduri të eksploroj. Duket paksa e çuditshme, por natyra më bën shpeshherë edhe romantik, aq sa edhe fantazinë ma hipën në një Pegaso.

Gjarpëron rruga dhe makina duket sikur kërcen nga njëra kthesë te tjetra. Një pamje madhështore shpaloset. Magjia e Ohrit të bën për vete. Si mburojë ngrehet gadishulli i Linit. Rrezet përvëluese të diellit reflektojnë dhe përplasen në faqet e gurta të shkëmbit. S’e di se pse m’u duk sikur vetë skulptorja natyrë kishte në majë të tij një luan, vështrimi i të cilit, i përqendruar dhe krenar duket sikur do të thotë:

Ky vend ka zot.

Luan i Linit

Putrat përqafojnë faqen shkëmbore si për të thënë: “Mbret jam unë…” e mbron me fanatizëm Kishën e Linit.
Sa madhështor e fisnik që duket; aq hirplotë e me shumë delikatesë u thotë maqedonasve: “Ju presim sa për një vizitë…”
Ndoshta duket si për të qeshur, por shpesh më pëlqen të krijoj figura me pamjet që shoh, sidomos nga fakti që prapa veshit të tij të djathtë ndodhet diçka më shumë sesa shkurreta e gjembaçë, më shumë se një panoramë që bën të të tradhtojnë sytë e të mendosh sa i vogël është në të vërtetë ky luan.